

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Fier, ku 35-vjeçari Refit Buzi vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën, e më pas mori peng ish-të fejuarën dhe u arratis nga vendngjarja.
Vëllai i viktimës, në një reagim për media, ka deklaruar se vrasja ishte e paramenduar, kjo pasi ish-dhëndri i familjes kishte kërcënuar disa herë se, në rast se çifti nuk bashkohej, do të vriste familjen e saj.
“Dëgjuam vetëm zhurmë dhe që bërtisnin brenda. Ne nuk mund të hynim sepse nuk kishim armë. Ai thoshte: ‘Ejani se do t’ju vras të gjithëve’.
Policia ka ardhur pas një ore. E mori djali në telefon. Autori ishte i armatosur. Doli nga dritarja, nga pjesa e pasme e shtëpisë, sepse e kishte lënë aty makinën. Mori dhe çupën me vete dhe iku.
Vajza qëndronte këtu. Kishin vite të fejuar, por kishin probleme. Ka shkuar 3 herë në polici, është arrestuar. Shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë lodër dhe e futën brenda. Tani ishte në arrest shtëpie, kërcënonte gjithmonë. I thoshte vajzës: ‘Ti do të vish tek mua, pa mua ti nuk e bën dot jetën’. Bënte shantazhe. Kjo ishte një vrasje e paramenduar.
Kur hyra brenda pashë tim vëlla të shtrirë atje…”, tha ai.
DINAMIKA E NGJARJES
Një djalë i ri është zhdukur sot në mëngjes, pak pasi shkoi te shtëpia e familjes së ish gruas së tij dhe hapi zjarr duke i kurrë jetën babait të bashkëshortes me të cilën është ndarë dhe duke plagosur rëndë nënën e saj. Nuk është mjaftuar me kaq, me armën e gjahut në krah, ka rrëmbyer ish gruan dhe janë larguar në drejtim të paditur me makinën e tij.
Çfarë ndodhi sot në mëngjes
Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht që është pjesë e bashkisë Roskovec në qarkun Fier, djali 35 vjeçar Refit Buzi, akuzohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin Kosta Plaka, 58 vjeç.
Jo vetëm kaq ai ka hapur zjarr dhe ka plagosur edhe ish-vjehrrën e tij, shtetasen Belere Plaka, rreth 55 vjeçe. Gruaja është plagosur rëndë dhe aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Rozalinda Plaka, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






