

Shqipëria vijon të mbajë vendin e parë në Europë për peshën që zënë baret, restorantet dhe shërbimet ushqimore në ekonominë private. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, të përpunuara nga revista "Monitor", ky sektor përfaqëson 12.28% të numrit total të ndërmarrjeve në vend, rreth 2.6 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 4.73%.
Të dhënat tregojnë se pas Shqipërisë renditen Serbia me 8.43% të ndërmarrjeve në këtë sektor, Greqia me 8.25%, Spanja me 7.51%, Kroacia me 7.28% dhe Turqia me 7.05%.
Në total, në Shqipëri janë të regjistruara 15,445 biznese në kategorinë e bareve, restoranteve, kafeneve dhe shërbimeve të tjera ushqimore. Ndërsa, duke përfshirë edhe 2,517 strukturat e akomodimit, sektori i akomodimit dhe shërbimeve ushqimore arrin në 17,962 ndërmarrje, ose 14.3% të totalit të bizneseve aktive në vend, përqindja më e lartë në Europë.
Shqipëria, e treta në Europë për numrin e bareve për banor
Edhe në raport me popullsinë, Shqipëria renditet mes vendeve me dendësinë më të lartë të bizneseve të këtij sektori. Sipas Eurostat, vendi numëron 6.63 bare, restorante dhe shërbime ushqimore për çdo 1,000 banorë, duke u renditur i treti në Europë.
Renditja kryesohet nga Greqia me 7.4 biznese për 1,000 banorë, e ndjekur nga Portugalia me 6.95, ndërsa pas Shqipërisë vijnë Qipro, Spanja, Italia dhe Kroacia. Mesatarja e Bashkimit Europian është 3.5 biznese për 1,000 banorë, çka do të thotë se Shqipëria ka pothuajse dyfishin e mesatares europiane.
Një model biznesi i nxitur nga tradita dhe turizmi
Ekspertët vlerësojnë se përhapja e bar-kafeneve lidhet me kapitalin relativisht të ulët të nevojshëm për hapjen e një biznesi të tillë, kulturën e konsumit të kafesë dhe mungesën historike të alternativave më të mëdha për investime në sektorin prodhues.
Vitet e fundit, rritja e turizmit ka shtuar më tej kërkesën për restorante, kafene dhe shërbime ushqimore, veçanërisht në Tiranë, zonat bregdetare dhe destinacionet turistike. Megjithatë, ekspertët theksojnë se sektori mbetet i fragmentuar, me një numër të madh biznesesh të vogla familjare që përballen me rritjen e kostove, mungesën e fuqisë punëtore dhe konkurrencën e lartë në treg.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






