Transmetuar më 24-07-2026, 07:57

Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, ku një burrë dyshohet se ka vrarë ish-vjehrrin e tij dhe më pas ka marrë peng ish-bashkëshorten.

Sipas informacioneve paraprake, autori ka qëlluar për vdekje ish-vjehrrin në rrethana që ende nuk janë sqaruar nga hetimet.

Pas ngjarjes, ai dyshohet se ka marrë me forcë ish-bashkëshorten, duke vënë në alarm familjarët dhe autoritetet.

Forcat e Policisë janë angazhuar në ndjekjen e autorit dhe vijojnë operacionin për lokalizimin e tij, ndërsa po punohet edhe për garantimin e sigurisë së gruas së marrë peng.

Shkaqet dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.

Roskovec/Informacion paraprak

Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit