Transmetuar më 24-07-2026, 07:51

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte në Pallatin e Brigadave Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, në një takim ku do të analizohet puna e vitit të parë të mandatit të katërt dhe do të diskutohen prioritetet për periudhën në vijim.

Sipas agjendës, mbledhja do të nisë në orën 09:30 me fjalën hapëse, ndërsa më pas kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, do të paraqesë një bilanc mbi funksionimin e Kuvendit. Në prezantimin e tij pritet të trajtohen zhvillimet që lidhen me dixhitalizimin e punës parlamentare, si edhe projektet për godinën e re të Kuvendit.

Më tej, ministri Taulant Balla do të prezantojë raportin mbi funksionimin e Grupit Parlamentar, duke u ndalur te puna e komisioneve parlamentare, angazhimi i deputetëve në veprimtarinë institucionale, si dhe komunikimi i tyre publik dhe në rrjetet sociale.

Sipas rendit të ditës, çdo deputet që do të marrë fjalën do të ketë në dispozicion deri në dy minuta për diskutim, ndërsa takimi do të mbyllet me fjalën përmbyllëse të kryeministrit Edi Rama, e cila pritet të shërbejë si një reflektim mbi vitin e parë të mandatit të katërt qeverisës.

Mbledhja zhvillohet në një klimë të ngarkuar politike, ndërsa opozita vijon protestat kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kabinetit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Një ditë më parë, Rama paralajmëroi se gjatë takimit do të ndajë reflektimet e tij me deputetët dhe ministrat. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ai tha se po përgatiste fjalën që do të mbajë në mbledhje, duke lënë të kuptohet se do të adresojë edhe zhvillimet e fundit politike në vend.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit