

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, dhe aktivisti Ilir Xhemalaj u përplasën në emisionin "Off the Record" në A2 CNN, ku debatuan mbi karakterin e protestës, raportin e saj me Partinë Demokratike dhe pretendimet për pavarësinë e organizatorëve.
Gjatë debatit, Mila ngriti pikëpyetje mbi natyrën e protestës, duke argumentuar se ajo paraqitet si anti-establishment, por njëkohësisht mbështetet në pjesëmarrjen dhe mobilizimin e Partisë Demokratike. Sipas saj, prania e funksionarëve të PD-së në protestë krijon paqartësi për qëllimin dhe identitetin e saj.
"Nëse Partia Demokratike dhe Sali Berisha janë pjesë e establishmentit kundër të cilit protestoni, atëherë pse tolerohen funksionarët e PD-së dhe pse nuk janë objekt i të njëjtit reagim nga protestuesit?", u shpreh Mila, duke shtuar se organizatorët duhet të sqarojnë publikisht nëse protesta është e pavarur apo e lidhur me opozitën.
Deputetja socialiste sfidoi gjithashtu organizatorët që të krijojnë një alternativë politike të pavarur dhe të garojnë në zgjedhje pa mbështetjen e Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, aktivisti Ilir Xhemalaj mohoi çdo lidhje organizative me PD-në. Ai deklaroi se në grupin organizator nuk ka asnjë eksponent të Partisë Demokratike dhe se protesta është e hapur për çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike.
"Në grupin tonë organizator nuk ka asnjë eksponent të Partisë Demokratike. Kushdo mund t’i bashkohet protestës si qytetar i lirë", tha Xhemalaj.
Debati u fokusua edhe te pretendimet se protestuesit nuk kanë goditur me vezë deputetët demokratë. Mila e cilësoi këtë si një kontradiktë me mesazhin anti-establishment të protestës, ndërsa Xhemalaj u përgjigj se protestuesit kanë reaguar ndaj "çdo deputeti që ka dalë nga dera e Parlamentit", pa bërë dallime politike.
Përplasja mes Milës dhe Xhemalajt u përqendrua në legjitimitetin e protestës, rolin e Partisë Demokratike në të dhe mundësinë e krijimit të një alternative të re politike jashtë partive tradicionale.
Pjesë nga debati:
Mila: Ka një kontradiktë shumë të madhe në atë çfarë artikulohet. Fillimisht, funksionarët e Partisë Demokratike janë pjesë e protestës apo jo? Sepse shumë prej atyre të cilët sot Policia e Shtetit edhe arrestoi, janë në fakt funksionarë të Partisë Demokratike. Tani, ju si protestues i quani edhe këta pjesë tuajën apo nuk i quani? Se herë i referoheni establishmentit, pra edhe Partisë Demokratike, por nga ana tjetër numrat ia kërkoni Partisë Demokratike. Që do të thotë ëmbël ju vjen kur ky “non grata” i Partisë Demokratike del atje dhe bën thirrje që jo me logon e Partisë Demokratike, por ju dilni në protestë. Çfarë do të thotë se ju ia lakmoni numrat kësaj partie. Përsa i përket kësaj çështje do duhet që ne të kemi një qartësim njëherë e përgjithmonë: E doni, e keni Berishën pjesë të protestës apo është edhe Berisha ai për të cilin ju po protestoni? Nëse Berisha dhe Partia Demokratike janë pjesë e establishmentit dhe nuk janë pjesë e juaja, atëherë zotëri mos toleroni asnjë funksionar të Partisë Demokratike të rrëmbejë protestën. Ashtu siç ka ndodhur sot, ashtu siç ka ndodhur në disa akte ekstreme që janë marrë, akte dhune që janë paraqitur përgjatë gjithë kësaj kohe, sepse nuk po dimë ta lexojmë nëse është protesta e Partisë Demokratike apo është protesta e të tjerëve, apo të tjerët bëjnë sikur është e të tjerëve, por në fakt është e Partisë Demokratike. Kështu që, të qartësohen qytetarët, të qartësohemi edhe ne. Ju referuat se janë njerëz të lirë, pra mund të bëjnë çfarë të duan edhe ata që janë aktivistë të Partisë Demokratike. Po tani edhe kjo sikur nuk shkon, sepse del prapë tek ajo që unë thashë më parë, që ia lakmoni numrat. Do të thotë që ka një frikë nga ana juaj dhe ka një tkurrje kur vjen fjala tek numrat. Ejani në zgjedhje përballë Partisë Socialiste dhe garoni në zgjedhje me një parti të formësuar. Apo nuk ndaheni dot nga Partia Demokratike?”
Xhemalaj: Në grupin tonë organizator nuk ka asnjë eksponent të Partisë Demokratike. Në grupin tonë, si qytetar të lirë mund të vijë kushdo, edhe ju zonja Sara Mila jeni e mirëpritur të vini këtu në këtë protestë dhe ajo që unë dua t’ju them është që këtu shumica e protestuesve, me sa njoh unë, janë nga PS-ja, nuk janë të Partisë Demokratike.
Mila: Si i identifikoni 300 000 njerëz? O keni 10 njerëz dhe prandaj i identifikoni, se po të jenë 300 000 nuk i identifikoni dot. Ose keni sistem patronazhimi që është pak kontradiktore.
Xhemalaj: Në Tiranë jetojmë, shyqyr Zotit i njohim. Dy herë erdhi e provoi Partia Demokratike në këtë shesh. Dy herë është ndjekur nga ky shesh. Që të jemi të qartë. Pjesa tjetër, këtu në këtë shesh mund të dalin sa parti të duan. Kjo nuk varet nga ne.
Mila: Pra, deputetët e Partisë Demokratike që me të madhe thonin sot se vezët nuk bien mbi ta, kanë gënjyer.
Xhemalaj: Atë nuk e di unë, pyesni ata. Unë flas për pjesën e protestës. Nuk flas për Partinë Demokratike.
Mila: A keni gjuajtur vezë mbi deputetët e Partisë Demokratike? A është protesta antiestablishment?
Xhemalaj: Ne kemi gjuajtur vezë mbi çdo deputet që ka dalë nga dera e Parlamentit. Ata një herë nuk i njeh njeri kush janë. Janë njerëz se s’i njeh as lagja e tyre. Janë të futur në lista partish dhe nuk kanë marrë asnjë votë nga populli. Prandaj populli s’ka si t’i njohë. Ne përballemi me Parti Socialiste dhe me çdo parti tjetër, kur të doni ju, mjafton të ndryshoni rregullat e lojës se rregullat e lojës i keni vënë që të fitoni vetëm ju.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






