Transmetuar më 23-07-2026, 20:13

Kundërshtimet ndaj propozimeve për Reformën e re Territoriale nuk kufizohen vetëm në Bashkinë Prrenjas. Raporti përfundimtar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, i cili i paraqitet Kuvendit të Shqipërisë, evidenton një sërë kërkesash dhe peticionesh të ardhura nga qytetarë, bashki dhe organizata vendore në zona të ndryshme të vendit.

Në Prrenjas, rreth 3 500 qytetarë kanë firmosur brenda 48 orësh një peticion kundër bashkimit të bashkisë me Librazhdin, duke kërkuar ruajtjen e statusit aktual të njësisë vendore.

Megjithatë, Prrenjasi nuk është rasti i vetëm. Sipas raportit, edhe banorët e Bashkisë Devoll kanë depozituar një peticion me mbështetje të gjerë, ku kërkojnë që Devolli të mbetet bashki më vete në hartën e re administrativo-territoriale. Në kërkesë përfshihet edhe propozimi për përfshirjen e fshatit Dardhë në territorin e bashkisë, si dhe zhvillimin e një referendumi lokal në rast se kërkesa nuk miratohet nga Kuvendi.

Raporti evidenton gjithashtu shqetësimet e diasporës së Hasit në Mbretërinë e Bashkuar, e cila, përmes kanaleve diplomatike, ka shprehur kundërshtimin ndaj çdo ndryshimi të mundshëm të kufijve administrativë që mund të ndikojë në kohezionin social dhe lidhjet e komunitetit me vendlindjen.

Kërkesa për konsultime më të gjera me komunitetet lokale janë paraqitur edhe nga Bashkia Konispol, Këshilli Bashkiak i Poliçanit, një shoqatë vendore në Poliçan, një organizatë nga Fushë-Arrëzi, si dhe qytetarë të njësive administrative Manëz, Ishëm dhe Sukth në Durrës. Sipas tyre, dëgjesat e zhvilluara kryesisht në qendrat e qarqeve kufizojnë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve të prekura nga reforma.

Nga Fushë-Arrëzi është kërkuar gjithashtu ruajtja e bashkisë si njësi më vete, me argumentin se zona disponon potenciale të rëndësishme natyrore dhe vlera të trashëgimisë kulturore që justifikojnë vazhdimin e funksionimit të saj si bashki e pavarur.

Ndërkohë, banorë dhe përfaqësues të Velipojës kanë kërkuar ndarjen nga Bashkia Shkodër dhe krijimin e një bashkie të veçantë, duke argumentuar distancën nga qendra administrative, potencialin turistik dhe nevojën për vendimmarrje më pranë komunitetit.

Në raport përmenden edhe propozime të tjera, si kërkesa për krijimin e një Bashkie Shpat në Qarkun Elbasan, bazuar në argumente historike, krahinore dhe demografike, si dhe propozimi i një subjekti politik që përfaqëson komunitetin maqedonas për krijimin e njësive administrative të veçanta në zonat e Gollobordës dhe Gorës, duke iu referuar modelit të Bashkisë Pustec.

Po ashtu, banorë të njësisë administrative Martanesh kanë kërkuar që territori i tyre të shkëputet nga Bashkia Bulqizë dhe t’i bashkohet Bashkisë Tiranë, duke argumentuar lidhjet etno-kulturore dhe perspektivat për zhvillim ekonomik.

Raporti i Komisionit të Reformës Territoriale pritet të shqyrtohet në Kuvend, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kërkesat e komuniteteve do të reflektohen në hartën e re administrativo-territoriale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit