

Një shofer shqiptar, 24 vjeç, po përballet me procedura ligjore në Gjermani pasi, sipas autoriteteve, shpërfilli urdhrin e policisë për të mos vijuar udhëtimin me një kamion që paraqiste defekte të rënda teknike dhe më pas u përfshi në një aksident në autostradën A93, pranë Kiefersfelden.
Sipas policisë gjermane, kamioni me targa greke u ndal fillimisht në pikën kufitare për një kontroll rutinë, gjatë të cilit u konstatuan një sërë mangësish që e bënin mjetin të papërshtatshëm për qarkullim. Mes problemeve të evidentuara ishin xhami i përparmë i plasaritur, sistemi i ndriçimit pjesërisht jashtë funksionit, elementë të pasiguruar të kabinës, si dhe defekte të shumta në rimorkio, përfshirë bulona të liruar në rrota, një gomë të dëmtuar, ngarkesë të pafiksuar siç duhet dhe amortizatorë ajri të konsumuar.
Për shkak të gjendjes teknike të mjetit, autoritetet ndaluan vazhdimin e udhëtimit, sekuestruan targat e kamionit dhe i vendosën drejtuesit një garanci financiare për procedurat administrative. Ekspertët vlerësuan se rimorkioja nuk ishte më ekonomikisht e riparueshme.
Megjithatë, një ditë më vonë, policia konstatoi se kamioni ishte larguar nga vendi ku ishte bllokuar. Pas verifikimeve, mjeti u gjet në një tjetër parking përgjatë autostradës, pa targa dhe me dëmtime të reja në pjesën e pasme.
Sipas hetimeve, 24-vjeçari fillimisht mohoi të ishte përfshirë në ndonjë aksident, por më pas pranoi se kishte goditur një barrierë metalike gjatë një manovre në marsh mbrapa dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes pa njoftuar autoritetet.
Policia gjermane vlerëson se dëmet materiale të shkaktuara në barrierën mbrojtëse arrijnë në disa mijëra euro. Me urdhër të Prokurorisë, ndaj drejtuesit të mjetit është vendosur një garanci financiare shtesë për largim nga vendi i aksidentit, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se shkeljet do të trajtohen si të kryera me dashje, pasi ai ka shpërfillur ndalimin e qarkullimit. Për pasojë, ai pritet të përballet me masa administrative dhe financiare më të rënda.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






