

Ka shkuar në 23 numri i personave të shoqëruar nga Policia e Shtetit pas protestës së zhvilluar këtë të enjte para ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.
Demonstrata u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e turmës, forcat e rendit përdorën ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa më pas kryen shoqërimin e disa pjesëmarrësve në komisariat.
Bilanci paraprak i përplasjeve tregon se 17 persona kanë marrë ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, mes të lënduarve janë gjashtë punonjës policie dhe 11 protestues.
Të plagosurit u trajtuan në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" dhe në Spitalin e Traumës. Autoritetet kanë bërë të ditur se të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Policia e Shtetit pritet të japë informacion të plotë mbi akuzat që rëndojnë ndaj personave të shoqëruar dhe ecurinë e procedurave ligjore që lidhen me ngjarjet gjatë protestës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






