

Redaksia e Citizens.al ka reaguar publikisht pas shoqërimit në polici të gazetares Vjolanda Peca, e cila, sipas deklaratës së medias, u mbajt për rreth dy orë në komisariat pas protestës së zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë.
Në reagimin e saj, Citizens.al e cilëson të papranueshëm shoqërimin e gazetares kundër vullnetit të saj, duke e konsideruar një shkelje të lirisë së ushtrimit të profesionit.
"Shoqërimi në komisariat kundër vullnetit dhe mbajtja për më shumë se dy orë e gazetares në kushte të privimit të lirisë është e papranueshme dhe një shkelje e rëndë e lirisë së ushtrimit të profesionit, që nuk duhet të përsëritet", thuhet në deklaratën e redaksisë.
Sipas Citizens.al, Vjolanda Peca ndodhej në terren për të raportuar mbi zhvillimin e protestës para Parlamentit në momentin kur u shoqërua nga efektivë të Policisë së Shtetit.
Në reagim theksohet se gazetarët kanë të drejtën kushtetuese të raportojnë ngjarje me interes publik pa u penguar apo intimiduar për shkak të detyrës së tyre.
"Gazetarët kanë detyrimin dhe të drejtën kushtetuese të raportojnë ngjarjet me interes publik, pa u penguar, intimiduar apo shoqëruar nga autoritetet për shkak të punës së tyre. Çdo ndërhyrje që cenon ushtrimin e lirë të profesionit përbën shqetësim serioz për lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar", vijon deklarata.
Në përfundim të reagimit, Citizens.al u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të garantojnë ushtrimin e lirë dhe të sigurt të profesionit të gazetarit, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për informim.
Deri në publikimin e këtij lajmi, Policia e Shtetit nuk ka bërë një reagim publik lidhur me shoqërimin e gazetares apo arsyet e mbajtjes së saj në komisariat.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






