

Autoritetet amerikane të emigracionit kanë arrestuar një shtetas shqiptar menjëherë pas lirimit të tij nga burgu, me qëllim nisjen e procedurave për dëbimin nga Shtetet e Bashkuara.
Bëhet fjalë për Gjin Kolbucajn, i cili kishte përfunduar dënimin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Lulja Kolbucaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2006 në Miçigan.
Sipas njoftimit të Agjencisë Amerikane për Emigracionin dhe Doganat (ICE), arrestimi u krye pas lirimit të tij nga burgu “Richard A. Handlon Correctional Facility” në Ionia dhe tashmë do të vijojnë procedurat për dëbimin e tij.
Mediat amerikane kanë raportuar se çifti kishin dy fëmijë, një djalë 9-vjeçar dhe një vajzë 11-vjeçare, të dy shtetas amerikanë.
Sipas dokumenteve të gjykatës, pas vrasjes së bashkëshortes më 31 mars 2006, Kolbucaj tentoi të vetëvritej duke qëlluar veten dy herë në kraharor, por mbijetoi. Ai dyshohet se ka pasur më herët një histori dhune ndaj bashkëshortes.
Pas procesit gjyqësor, ai u dënua me burgim dhe pas përfundimit të dënimit u vu në pranga nga autoritetet e emigracionit për procedurat e largimit nga SHBA.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






