Transmetuar më 23-07-2026, 15:02

Ndërsa Policia e Shtetit u kujdes të shpërndante disa herë njoftimin se gjashtë policë ishin lënduar nga protesta e sotme, asnjë informacion nuk u dha për atë që u pa në terren, veprimin policor ndaj protestuesve që çoi në plagosje serioze të disa prej tyre.

Megjithatë, ministria e Shëndetësisë pranoi zyrtarisht sot se të paktën 11 protestues janë plagosur duke shtuar se ka dhe gjashtë policë të lënduar.

"Ju informojmë se aktualisht në strukturat e shëndetit publik, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT) dhe në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), po marrin shërbim mjekësor gjithsej 17 pacientë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në QSUT janë paraqitur 10 protestues.

Prej tyre, 3 pacientë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar nga spitali, sipas këshillës së mjekut.

Aktualisht, 4 pacientë po marrin trajtim në Urgjencën e QSUT-së, nën kujdesin e ekipit mjekësor, ndërsa 3 pacientë po trajtohen në shërbimin e Toksikologjisë. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në Spitalin Universitar të Traumës, po marrin shërbim mjekësor 6 efektivë policie dhe 1 protestues, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm nga ekipet mjekësore", tha ministria e Shëndetësisë.

Gjatë protestës së sotme, pjesëmarrësit si dhe herë të tjera hodhën vezë dhe sende të tjera simbolike pranë Parlamentit por reagimi policor ishte energjik dhe joproporcional duke hedhur ujë me presion, pajisje djegëse për sytë, gaz lotsjellës, etj.

Këto veprime u shoqëruan me incidente dhe përpjekje të disa protestuesve për të hequr barrierat e vendosura nga policia.

Një qytetar u pa teksa po transportohej me ambulancë. Në vend ai mori ndihmë mjekësore pas përdorimit të sprajit me piper nga policia. Më tej u dërgua në spital pasi gjendja e tij u rëndua.

Sakaq një tjetër protestues është goditur me sende të fortë në kokë dhe, me ndihmën e dy protestuesve të tjerë, është dërguar me nxitim drejt ambulancës.

Pavarësisht gjendjes së tij, ai ka vijuar me thirrje të forta: “Mos u dorëzoni!”.

Protestuesit kanë vijuar me thirrjet e njohura si: “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria” dhe “Nuk na përfaqësoni”, duke kërkuar dorëheqjen dhe arrestimin e kryeministrit Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit