Transmetuar më 23-07-2026, 14:37

Tre vite burg për thirrjet kundër pllakës së Erdoganit në Laç

Gjykata e Lezhës ka dënuar me tre vite burg Leon Mollën, një 42-vjeçar nga Mirdita, lidhur me thirrjet për heqjen e pllakës përkujtimore të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, të vendosur në lagjen e rindërtuar nga qeveria turke në qytetin e Laçit.

Molla u shpall fajtor për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”. Hetimet ndaj tij nisën në shkurt të vitit 2022 nga Prokuroria e Lezhës.

Sipas dosjes hetimore, përmes videomesazheve dhe postimeve në rrjetin social Facebook, ai kishte bërë thirrje për heqjen e pllakës, ndërsa dyshohet se kishte nxitur edhe përdorimin e lëndëve plasëse për shkatërrimin e saj.

Leon Molla jeton në Francë që prej vitit 2012 dhe rezulton në kërkim ndërkombëtar. Më herët, ai është dënuar në mungesë edhe për ngjarjet e dhjetorit 2017, kur gjatë një proteste në Mirditë u dëmtua flamuri turk.

Megjithatë, ai nuk e ka vuajtur këtë dënim, pasi autoritetet franceze nuk kanë pranuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Pas vendimit të fundit, Molla reagoi publikisht, duke e cilësuar dënimin si cenim të lirisë së shprehjes. Sipas tij, çështja lidhet me qëndrimet publike për heqjen e pllakës së presidentit Erdogan në Laç.

Ai pretendon se po përballet me një ndjekje të vazhdueshme penale për shkak të bindjeve dhe deklaratave të tij, ndërsa thekson se drejtësia nuk duhet të përdoret për të ndëshkuar opinionin politik apo kritikën publike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit