Transmetuar më 23-07-2026, 13:52

Berisha futet në protestë, kërkon shkrirjen e Parlamentit: Të hapet rruga për zgjidhjen që kërkon mbarë rinia dhe qytetarët shqiptarë

Ndërsa qytetarët protestonin përreth godinës së Parlamentit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi shpërndarjen e Kuvendit duke dashur kështu të shfrytëzojë lëvizjen qytetare që synon rrëzimin e establishmentit politik duke u fokusuar te rrëzimi i Edi Ramës.

Në një prononcim përpara hyrjes në Parlament, Berisha deklaroi se ky është i vetmi vendim i drejtë dhe i përgjegjshëm që mund të merret në situatën aktuale.

“Parlamenti mblidhet i rrethuar. I vetmi akt i përgjegjshëm është të deklarojë fundin dhe shpërndarjen e tij, duke i hapur rrugë zgjidhjes që kërkojnë të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, çdo vendim tjetër i Parlamentit do të ishte i pavlefshëm.

“Ne kërkojmë sot vetëshpërndarjen e këtij Parlamenti. Ky është i vetmi vendim i drejtë që mund të merret”, përfundoi kreu demokrat.

Deklarata e plotë:

"Parlamenti mblidhet në rrethim!

I vetmi akt i përgjegjshëm i tij është të deklarojë fundin e tij, shkrirjen e tij dhe hapjen rrugë për zgjedhjen që kërkojnë mbarë rinia dhe qytetarët shqiptarë.

Çdo akt tjetër është fund e krye i pavlerë.

Ndaj dhe ne kërkojmë sot vetëshpalljen, shkrirjen e këtij parlamenti.

Ky është, them edhe njëherë, i vetmi vendim i drejtë që parlamenti mund të marrë sot."

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit