

TIRANË — Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dënuar ashpër incidentet e regjistruara gjatë protestës përpara godinës së Kuvendit, ku mbetën të plagosur katër punonjës të Policisë së Shtetit.
Në një deklaratë për mediat menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, Balla shprehu solidaritetin me efektivët e lënduar dhe nëfshkroi se sulmet ndaj uniformave blu përbëjnë goditje të drejtpërdrejtë ndaj shtetit ligjor.
"Nuk tolerohet dhuna ndaj policisë"
Balla u shpreh se veprimet e dhunshme nuk kanë lidhje me shqetësimet reale të qytetarëve, por janë përpjekje të orkestruara për të krijuar tension artificial.
"Shpreh solidaritetin e plotë me Policinë e Shtetit. Uroj shërimin e shpejtë të katër punonjësve të policisë së plagosur. Në një vend si Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, nuk mund të tolerohet dhuna. Çdo person që godet Policinë e Shtetit, godet vetë shtetin," deklaroi Balla.
I pyetur nga gazetarët mbi pretendimet e opozitës se bëhej fjalë vetëm për hedhje vezësh, kreu i grupit të mazhorancës hodhi poshtë këto pretendime, duke e cilësuar ngjarjen si përdorim të dhunës barbare që çoi në lëndimin e policëve.
Akuzat për rikthim të hijeve të vitit 1997
Sipas zyrtarit të lartë socialist, organizatorët e protestës po tentojnë të riciklojnë skenarë të vjetër të paqëndrueshmërisë politike me qëllim goditjen e ekonomisë dhe imazhit të vendit në kulmin e sezonit turistik.
"Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për vezë, por për akte dhune barbare. Përpjekjet për ta kthyer Shqipërinë në skenarë dhune si ato të viteve 1997 apo 1998 nuk do të kenë sukses. I gjithë synimi është të dëmtohet sezoni turistik dhe ekonomia e vendit," u shpreh ai.
Mbrojtja e perimetrit të sigurisë
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për bllokimin e rrugëve dhe perimetrin e rreptë të sigurisë përreth Parlamentit, Balla mbrojti veprimet e forces publike. Ai theksoi se institucionet e zbatimit të ligjit kanë për detyrë të garantojnë që deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre pa u cenuar.
Në përmbyllje, Balla ngriti edhe pretendime se pas nxitjes së tensioneve në tubime të tilla mund të fshihen edhe interesa të lidhura me shërbime të huaja jomiqësore, që synojnë destabilizimin e Shqipërisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






