Transmetuar më 23-07-2026, 12:43

TIRANË — Masat e rrepta të sigurisë të ndërmarra nga Policia e Shtetit përreth godinës së Kuvendit të Shqipërisë kanë nxitur reagimin e fortë të opozitës. Me rastin e protestës së qytetarëve përpara parlamentit, forcat e rendit kanë vendosur gardhe metalike dhe kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë në pothuajse të gjitha rrugët hyrëse, duke bllokuar plotësisht kalimin.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar këtë prani të shtuar policore si një "akt të shëmtuar, të turpshëm dhe të papranueshëm".

Përmes një reagimi publik, Bardhi theksoi se asnjë zyrtari apo deputeti nuk i rrezikohet jeta nga qytetarët që protestojnë paqësisht. Sipas tij, vendosja e barrierave metalike po cenon direkt të drejtat bazë të qytetarëve dhe punën e gazetarëve.

"Rrethimi i Kuvendit në një perimetër të zgjeruar dhe prania e paprecedent e një numri të madh të punonjësve të Policisë së Shtetit është një akt i shëmtuar. Policia ka arritur deri aty sa pengon lëvizjen e lirë dhe raportimin e pashqetësuar të punonjësve të medias, çka përbën një kufizim të papranueshëm të lirisë së medias," deklaroi Bardhi.

Kreu i grupit të PD-së iu bëri thirrje autoriteteve të heqin menjëherë dorë nga këto masa shtrënguese dhe të garantojnë të drejtën e tubimit:

"Duhet menjëherë të hiqet dorë nga një sjellje e tillë e papranueshme dhe të lejohen qytetarët të protestojnë qetësisht ku ato të dëshirojnë. Kufizimi i lirisë së tubimit nuk mund të jetë një akt i pranueshëm në një vend kandidat për në BE," përfundoi ai.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit