

TIRANË – Tensione të rënda dhe përplasje të dhunshme kanë shoqëruar protestën e sotme para parlamentit, ku në ditën e saj të 54-të, tubimi qytetar është mbyllur me të lënduar si nga radhët e protestuesve, ashtu edhe nga forcat e rendit.
Situata është agravuar ndjeshëm kur protestuesit tentuan të çajnë kordonin policor për t’iu afruar godinës së Kuvendit, ku po zhvillohej seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.
Nga përleshjet e ashpra raportohet se kanë mbetur të lënduar dy protestues dhe dy efektivë të Policisë së Shtetit:
Protestuesit: Kanë pësuar dëmtime serioze, vështirësi në frymëmarrje nga lëndët djegëse dhe probleme në fytyrë. Ata janë transportuar me urgjencë me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Efektivët e Policisë: Njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të lehta, ndërsa një tjetër ka mbetur i gjakosur si pasojë e goditjeve nga sendet e forta të hedhura nga turma.
Për të zmbrapsur turmën që hoqi gardhin metalik mbrojtës pranë qendrës tregtare "Toptani", Policia e Shtetit ndërhyri duke përdorur ujë me presion, gaz lotsjellës dhe spraj piperi. Protestuesit u kundërpërgjigjën duke hedhur vezë, domate dhe shishe uji në drejtim të uniformave blu.
Sipas raportimeve nga terreni, ndërhyrja e policisë ishte e koordinuar: ndërsa hidhej gazi dhe spraji i piperit, efektivët uleshin përtokë për t’iu shmangur vetë pasojave të lëndëve djegëse.
Policia kishte vendosur dy perimetra të rreptë sigurie, duke bllokuar të gjitha rrugët hyrëse drejt parlamentit (përfshirë aksin te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit) dhe duke mos lejuar stacionimin e protestuesve para godinës.
Përgjatë gjithë tubimit që nisi rreth orës 08:30 nga sheshi “Skënderbej”, protestuesit lëshuan thirrje si: “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria” dhe “Nuk na përfaqësoni”, duke kërkuar dorëheqjen dhe arrestimin e kryeministrit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






