Transmetuar më 23-07-2026, 10:04

TIRANË – Tensione të larta dhe përplasje të dhunshme kanë shoqëruar protestën e sotme të zhvilluar përpara parlamentit, në ditën kur do të zhvillohet seanca e fundit plenare e kësaj legjislature.

Protestuesit janë grumbulluar fillimisht rreth orës 08:30 në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë marshuar drejt godinës së Kuvendit. Me mbërritjen në vendngjarje, situata është përshkallëzuar me shpejtësi.

Akti që ngriti tensionet ishte heqja e një pjese të gardhit metalik mbrojtës nga ana e protestuesve, pranë qendrës tregtare "Toptani", çka u mundësoi atyre të afroheshin më shumë me godinën e institucionit. Qytetarët kanë qëlluar me vezë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia reagoi menjëherë duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të rrepta sigurie, duke bllokuar të gjitha rrugët hyrëse drejt Kuvendit, përfshirë një tjetër gardh metalik të vendosur te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit.

Përgjatë gjithë protestës, qytetarët kanë lëshuar thirrje të forta kundër mazhorancës, si: “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria” dhe “Nuk na përfaqësoni”. Kërkesat kryesore të tubimit mbeten dorëheqja e menjëhershme dhe arrestimi i Kryeministrit Edi Rama.

Situata pranë zonës së parlamentit mbetet e tensionuar, ndërsa forca të shumta policore vijojnë të mbajnë të rrethuar perimeterin e sigurisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit