Transmetuar më 23-07-2026, 07:37

TIRANË – Kuvendi mblidhet këtë të enjte në seancën e fundit plenare të sesionit parlamentar, e cila pritet të shoqërohet me debate politike, veçanërisht gjatë shqyrtimit të raporteve të institucioneve të drejtësisë dhe veprimtarisë së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në qendër të punimeve do të jenë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë gjatë vitit 2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Kontrollit të Lartë të Shtetit, SPAK-ut, Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Një nga pikat që pritet të ngjallë më shumë diskutime është raporti vjetor i SPAK-ut, ku mazhoranca dhe opozita pritet të përballen me qëndrime të ndryshme mbi rezultatet e strukturës antikorrupsion dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Në rendin e ditës janë parashikuar gjithashtu një interpelancë dhe dy seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Blendi Himçi, Bujar Leskaj dhe Erald Kapri.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe dy akte normative, përfshirë atë që lidhet me financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare, si dhe një sërë projektligjesh që prekin fusha si ekonomia, turizmi, Kodi Detar, Avokatura e Shtetit, kontabiliteti, pronësia industriale, Forcat e Armatosura dhe Policia e Shtetit.

Në fund të seancës pritet të votohen edhe emërimet për drejtues dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa punimet do të mbyllen me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Seanca zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pas përplasjeve që shoqëruan mbledhjen e mëparshme plenare. Opozita kundërshtoi zhvillimin e seancës gjatë raportimit të Avokatit të Popullit, duke deklaruar se nuk e njeh zgjedhjen e tij, pasi, sipas saj, u miratua vetëm me votat e mazhorancës. Për shkak të tensioneve, seanca e kaluar u mbyll para kohe me propozim të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Ndërkohë, për ditën e premte është paralajmëruar një protestë para Kuvendit. Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të zhvillohet në përfundim të sesionit parlamentar, si një formë simbolike reagimi ndaj deputetëve përpara nisjes së pushimeve verore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit