Transmetuar më 23-07-2026, 07:33

MADRID – Një zjarr masiv pyjor që ka përfshirë prej gati një jave provincën Guadalajara, në verilindje të Madridit, ka djegur rreth 32 mijë hektarë tokë, duke u renditur si zjarri i dytë më i madh i regjistruar në Spanjë që prej vitit 1968.

Sipas autoriteteve të emergjencës, flakët pritet të vihen nën kontroll gjatë ditëve në vijim, megjithëse kushtet meteorologjike, veçanërisht erërat e forta të parashikuara, mund të vështirësojnë operacionet e shuarjes.

Për të ndjekur nga afër zhvillimet, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe presidenti i rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, zhvilluan një takim me drejtuesit e operacioneve të emergjencës, ku u diskutuan masat për përballimin e situatës dhe mbrojtjen e banorëve.

Përmirësimi i kushteve në terren ka bërë të mundur rikthimin në banesat e tyre të banorëve të pesë zonave të evakuuara më herët. Autoritetet njoftojnë se edhe banorët e La Mierla, zona ku dyshohet se nisi zjarri rreth 70 kilometra në verilindje të Madridit, pritet të lejohen të kthehen së shpejti në shtëpitë e tyre.

Që nga shpërthimi i flakëve të enjten e kaluar, janë evakuuar 34 komunitete, ndërsa rreth 1 200 persona janë zhvendosur në zona të sigurta për shkak të rrezikut.

Hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga punime bujqësore, megjithatë autoritetet vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkakun e saktë.

Me një sipërfaqe të djegur prej rreth 32 mijë hektarësh – e barabartë me afërsisht 45 mijë fusha futbolli – ky konsiderohet zjarri i dytë më i madh në Spanjë që nga fillimi i regjistrimit zyrtar të zjarreve pyjore në vitin 1968.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit