

IRLANDA E VERIUT – Një incident me përmbajtje politike ka shoqëruar ndeshjen kualifikuese të UEFA Champions League mes Larne FC dhe Crvena Zvezdës, pasi një grup tifozësh të skuadrës serbe shfaqën në tribunë banerin me mbishkrimin "Kosovo is Serbia".
Pamjet nga stadiumi u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ngjallur reagime të shumta. Nuk është hera e parë që mbështetës të Crvena Zvezdës ekspozojnë pankarta ose simbole me përmbajtje politike gjatë ndeshjeve ndërkombëtare, veçanërisht në kompeticionet e organizuara nga UEFA.
Sipas rregulloreve të UEFA-s, ndalohet shfaqja e mesazheve politike, ideologjike ose provokuese në stadiume. Në raste të ngjashme, organi qeverisës i futbollit evropian ka hapur procedura disiplinore dhe ka vendosur masa ndaj klubeve për sjelljen e tifozëve të tyre.
Deri më tani, UEFA nuk ka bërë publik një qëndrim zyrtar lidhur me incidentin. Mbetet për t’u parë nëse Komisioni Disiplinor do ta marrë në shqyrtim rastin dhe nëse ndaj Crvena Zvezdës do të ndërmerren masa në përputhje me rregulloret në fuqi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






