Transmetuar më 23-07-2026, 07:24

RROGOZHINË – Egnatia dhe Celje dhuruan një nga ndeshjet më spektakolare të turit të dytë kualifikues të UEFA Champions League, duke barazuar 3-3 në "Arena Egnatia". Pas një sfide me ritëm të lartë dhe përmbysje të njëpasnjëshme, kualifikimi mbetet i hapur për takimin e kthimit në Slloveni.

Kampionët e Shqipërisë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke kaluar në avantazh që në minutën e 7-të me Bitrin, goli i të cilit u favorizua edhe nga një devijim. Megjithatë, Celje reagoi në fundin e pjesës së parë, duke vendosur baraspeshën para pushimit.

Skuadra sllovene përmbysi rezultatin në minutën e 54-t me anë të Kucys, por Egnatia reagoi menjëherë. Vetëm katër minuta më vonë, Fernando realizoi një supergol për rezultatin 2-2, duke rikthyer shpresat për kampionët shqiptarë.

Vendasit krijuan disa raste të mira shënimi me Albanesen dhe Xhemajlin, por ishte Celje që gjeti sërish rrugën e rrjetës. Kvesiç shënoi në minutën e 66-të, duke rikthyer avantazhin për miqtë me golin e tij të dytë personal në këtë sfidë.

Egnatia nuk u dorëzua dhe në minutën e 78-të Diabate barazoi shifrat në 3-3, duke vulosur një mbrëmje spektakolare në Rrogozhinë dhe duke mbajtur të hapur garën për një vend në turin e ardhshëm.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 28 korrik në Slloveni, me fillim nga ora 20:15, ku do të përcaktohet skuadra që do të sigurojë kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Champions League.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit