

Temperaturat rekord të këtij viti kanë shtyrë Japoninë të rishikojë edhe kodin tradicional të veshjes në vendet e punës. Gjithnjë e më shumë burra po shkojnë në zyra me pantallona të shkurtra, ndërsa autoritetet në Tokio po inkurajojnë punonjësit të heqin dorë nga kostumet dhe kravatat gjatë ditëve të nxehta.
Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, ka prezantuar në prill nismën “Tokyo Cool Biz”, një zgjerim i fushatës së kursimit të energjisë dhe përshtatjes ndaj temperaturave të larta, e cila prej vitesh zbatohet gjatë verës në Japoni.
Nisma synon të lejojë veshje më të lehta dhe praktike në ambientet e punës, si bluza, atlete dhe pantallona të shkurtra. Megjithatë, vendimi ka hapur një debat të pazakontë në shoqërinë japoneze.
Disa punonjës e kanë mirëpritur ndryshimin, duke argumentuar se veshjet më të rehatshme i ndihmojnë të përballojnë më mirë temperaturat ekstreme. Por një pjesë e qytetarëve e kanë kundërshtuar, duke e konsideruar të papërshtatshëm për mjediset tradicionale të punës.
Në veçanti, disa gra kanë ngritur shqetësime për standardet e ndryshme të paraqitjes mes burrave dhe grave në zyra. Ndërsa burrat lejohen të shfaqin këmbët me pantallona të shkurtra, në disa ambiente tradicionale gratë ende pritet të përdorin geta kur veshja i ekspozon këmbët.
Në rrjetet sociale është krijuar edhe termi “sunehara”, që i referohet bezdisjes së shkaktuar nga ekspozimi i qimeve të këmbëve të kolegëve meshkuj.
Sipas një sondazhi të zhvilluar në qershor, 53.5% e të anketuarve kundërshtojnë përdorimin e pantallonave të shkurtra në punë, ndërsa 46.5% e mbështesin këtë praktikë. Një nga arsyet kryesore të kundërshtimit lidhet me perceptimin estetik dhe pamjen fizike.
Për shkak të këtij debati, disa burra në Japoni kanë filluar të kërkojnë trajtime estetike, përfshirë heqjen me lazer të qimeve të trupit, jo vetëm për arsye personale, por edhe për t’iu përshtatur normave sociale në ambientet profesionale.
Fushata “Cool Biz” u lançua fillimisht në vitin 2005 nga Yuriko Koike, atëherë ministre e Mjedisit, me synim uljen e konsumit të energjisë gjatë verës. Pas tërmetit dhe cunamit të vitit 2011, ajo u zgjerua në programin “Super Cool Biz”, me masa shtesë për kursimin e energjisë.
Japonia po përballet këtë vit me temperatura të pazakonta dhe rritje të kostove të energjisë. Autoritetet meteorologjike kanë paralajmëruar për ditë me temperatura mbi 40 gradë Celsius, të cilat në Japoni njihen si “kokusho-bi”.
Vetëm gjatë periudhës 6–12 korrik, shtatë persona humbën jetën nga goditja e të nxehtit, ndërsa rreth 4,580 persona u dërguan në spitale për shkak të problemeve të shkaktuara nga temperaturat e larta.
Për t’u përballur me vapën, qytetarët japonezë po përdorin gjithnjë e më shumë produkte si veshje me ventilatorë të integruar, peshqirë freskues, çadra kundër rrezeve ultravjollcë dhe ventilatorë portativë.
Ekspertët paralajmërojnë se lagështia e lartë në Japoni e bën më të vështirë ftohjen natyrale të trupit dhe rrit rrezikun e goditjeve nga nxehtësia. Sipas tyre, përshtatja graduale e organizmit dhe marrja e masave parandaluese janë thelbësore për të përballuar valët ekstreme të të nxehtit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






