

Protesta kundër qeverisë do të vijojë edhe ditën e nesërme, duke shënuar edicionin e 54-t të saj, por organizatorët kanë njoftuar se tubimi do të nisë më herët se ditët e tjera, për shkak të zhvillimit të seancës së fundit plenare të këtij sesioni parlamentar.
Nga podiumi i protestës së mbrëmjes së sotme, organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen në orën 08:30 në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kuvendit, ku seanca plenare pritet të nisë në orën 10:00.
Sipas organizatorëve, gjatë seancës së fundit parlamentare pritet të shqyrtohen një sërë projektligjesh, mes tyre edhe “Paketa e Maleve”, për të cilën ata kanë shprehur kundërshtime dhe kanë deklaruar se nuk do të lejojnë miratimin e saj.
Protestuesit kanë paralajmëruar gjithashtu se tubimi i nesërm do të shoqërohet me një aksion simbolik ndaj deputetëve, duke përmendur hedhjen e vezëve dhe miellit ndaj tyre gjatë hyrjes në Kuvend.
Ata kanë deklaruar se do të qëndrojnë pranë hyrjeve të institucionit, pavarësisht masave të sigurisë që pritet të ndërmerren nga Policia.
Ndërkohë, autoritetet pritet të marrin masa shtesë për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të seancës plenare dhe protestës së paralajmëruar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






