Transmetuar më 22-07-2026, 23:20

Finalistja e konkursit të bukurisë Miss Universe Tegucigalpa, Wallis Fuentes Aquino, është gjetur e pajetë në banesën e saj në kryeqytetin e Hondurasit, duke shkaktuar trishtim dhe reagime të shumta.

23-vjeçarja u gjet e vdekur të hënën, më 20 korrik, nga familjarët e saj, të cilët kishin tentuar ta kontaktonin për disa ditë pa marrë përgjigje. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes, duke shqyrtuar të gjitha pistat e mundshme.

Hetuesit nuk kanë përjashtuar mundësinë e një ngjarjeje kriminale, ndërsa po verifikohet edhe pista që vdekja mund të ketë ardhur për shkaqe shëndetësore.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Aquino u konfirmua nga organizata Miss Universe Tegucigalpa përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Organizata e Miss Universe Tegucigalpa shpreh trishtimin e saj të thellë për vdekjen e fitueses sonë alternative, Wallis Aquino, dhe i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të saj”, thuhej në deklaratën e organizatës.

Aquino kishte fituar vendin e dytë në konkursin Miss Universe Honduras 2026, kompeticion që shërben si fazë përzgjedhëse për përfaqësuesen e Hondurasit në konkursin ndërkombëtar Miss Universe.

Organizatorët e përshkruan 23-vjeçaren si një figurë të spikatur jo vetëm për paraqitjen e saj në skenë, por edhe për mbështetjen dhe gatishmërinë ndaj konkurrenteve të tjera gjatë konkursit.

Hetimet për rrethanat e vdekjes së saj vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të ekzaminimeve përkatëse.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit