

Dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë janë ndaluar nga autoritetet nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj në këmbim të përfitimeve financiare.
Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se dy zyrtarët janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre është ngritur dyshimi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas Prokurorisë, arrestimi është kryer nga Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një hetimi disa mujor. Bashkë me dy zyrtarët është ndaluar edhe një person tjetër, i dyshuar për përfshirje në skemën e paligjshme.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se njëri prej zyrtarëve të arrestuar punon në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Hetimet paraprake kanë evidentuar dyshime se zyrtarët F. Sh. dhe G. J. kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkohë, personi me inicialet D. K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme, me qëllim që persona të tjerë të aplikonin dhe të pajiseshin në mënyrë të paligjshme me leje qëndrimi në Kosovë.
Prokuroria nuk ka bërë të ditur numrin e shtetasve të huaj që dyshohet se kanë përfituar leje qëndrimi përmes kësaj skeme, apo vlerën e përfitimeve financiare të pretenduara.
Arrestimi është përshëndetur nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili deklaroi se institucionet do të vijojnë luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve”, u shpreh Sveçla.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






