

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura, ku vlerësoi transformimin e ushtrisë shqiptare dhe foli për objektivat e qeverisë për rritjen e mbështetjes ndaj ushtarakëve.
Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi ceremoninë si një ditë krenarie për Forcat e Armatosura, trupën pedagogjike dhe Shtabin e Përgjithshëm, ndërsa uroi edhe familjarët e të diplomuarve.
Sipas kryeministrit, Forcat e Armatosura kanë kaluar një proces të rëndësishëm ndryshimi, duke krahasuar situatën aktuale me atë të viteve të mëparshme, kur, sipas tij, ushtria përballej me mungesa financiare dhe kushte të vështira.
“Kur kjo fushë ishte e parregullt, Forcat e Armatosura mbaheshin në këmbë vetëm nga pasioni dhe edukata. Ishin më të keqpaguarit në rajon dhe kishin një buxhet qesharak”, u shpreh Rama.
Ai deklaroi se objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2030 pagat mesatare të Forcave të Armatosura shqiptare të afrohen me nivelin e vendeve të NATO-s.
“Kemi një zotim për statusin e tyre dhe jemi në raundin e fundit. Edhe këtë së shpejti do ta japim si lajm”, tha kryeministri.
Rama theksoi gjithashtu rolin dhe sakrificën e ushtarakëve, duke nënvizuar se shërbimi në uniformë kërkon përkushtim dhe përballje me situata të vështira.
Sipas tij, rritja e interesit të të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura është një tregues i ndryshimit të perceptimit ndaj këtij profesioni.
“Kur shoh sot sesi ndryshon rritja dhe numri i vajzave e djemve që po vendosen në rreshtat e aplikantëve, mendoj se kjo është shenja më e sigurt e një transformimi që nuk ndalet më”, u shpreh Rama.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri uroi 67 oficerët e rinj dhe i cilësoi ata si pjesë të një brezi të ri të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






