

Policia e Shtetit ka identifikuar dy personat që humbën jetën në aksidentin e rëndë rrugor të ndodhur pasditen e së mërkurës pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, në Tiranë.
Viktimat janë Mohamed Lotf, rreth 30 vjeç, drejtues i kamionit pompë betoni, dhe Mohamed Ali, rreth 44 vjeç, pasagjer në të njëjtin mjet. Lotf humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Ali ndërroi jetë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.
Nga aksidenti mbeti i plagosur edhe drejtuesi i automjetit tjetër të përfshirë në përplasje, Roland Nuri, 28 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve të raportuara, kamioni pompë betoni i përfshirë në aksident i përkiste kompanisë "Alba Beton".
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se aksidenti ndodhi pasi kamioni u përplas me një automjet pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, duke çarë barrierat metalike mbrojtëse dhe duke rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan.
Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit, ndërsa priten rezultatet e hetimeve për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë
Tiranë/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët për aksidentin e ndodhur te rrethrrotullimi i TEG-ut, ju informojmë se janë identifikuar dy personat që udhëtonin në kamionin (pompë betoni) konkretisht shtetasit e huaj:
-M. L., rreth 30 vjeç, drejtuesi i kamionit, i cili humbi jetën në vendngjarje;
-M. A., rreth 44 vjeç, pasagjeri, i cili, pavarësisht ndihmës mjekësore, ka ndërruar jetë në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






