Transmetuar më 22-07-2026, 19:01

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas arrestimit të një 34-vjeçareje në Aeroportin e Rinasit, e cila u dërgua në institucionin e vuajtjes së dënimit së bashku me foshnjën e saj 7-muajshe.

Burime bëjnë me dije se, menjëherë pasi është njohur me rastin, kreu i shtetit ka kërkuar informacion nga institucionet ligjzbatuese për mundësinë që e reja të përfitojë nga amnistia. Në rast se kjo nuk është e mundur, Presidenti mësohet se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë një propozim zyrtar për dhënien e amnistisë individuale, duke marrë në konsideratë faktin se ajo është nënë e tre fëmijëve të mitur, njëri prej të cilëve me probleme shëndetësore.

34-vjeçarja u arrestua sapo mbërriti në Rinas, në zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, pas një dënimi për veprën penale të dhunës në familje, procedim që kishte nisur pas kallëzimit të vjehrrit të saj.

Ndërkohë, Avokati i Popullit, Endri Shabani, zhvilloi një inspektim në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, ku po mbahet 34-vjeçarja së bashku me foshnjën.

Shabani deklaroi se institucioni që ai drejton ka nisur verifikimet menjëherë pas publikimit të rastit dhe ka konstatuar dyshime për shkelje procedurale, duke theksuar se mbajtja për 72 orë e një nëne me foshnjë në bllokun e sigurisë ka qenë e pajustifikuar.

Sipas Avokatit të Popullit, janë njoftuar të gjitha institucionet përgjegjëse dhe i është drejtuar edhe një kërkesë gjykatës për rishikimin e situatës.

"Në bindjen time, nëna duhet të lirohet nesër. Nëse kjo nuk ndodh, do të jemi përballë një shkeljeje procedurale, pasi një nënë me fëmijë në gji nuk mund të mbahet në burg për veprën penale për të cilën është dënuar", u shpreh Shabani.

Rasti ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa pritet që institucionet kompetente të marrin një vendim për statusin e 34-vjeçares në ditët në vijim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit