Transmetuar më 22-07-2026, 18:43

Ndonëse seanca plenare e 23 korrikut ishte parashikuar të ishte e fundit për këtë sesion parlamentar, Kuvendi pritet të mblidhet sërish më 30 korrik në një seancë të jashtëzakonshme.

Sipas rendit paraprak të ditës, seanca do të ketë vetëm dy pika për shqyrtim: projektligjin për arkivat dhe projektligjin për të drejtën e autorit. Vendimi për thirrjen e saj pritet të formalizohet nga Konferenca e Kryetarëve.

Burime parlamentare bëjnë me dije se deputetëve të Partisë Socialiste u është kërkuar të mos largohen nga Tirana edhe pas përfundimit të seancës së 23 korrikut. Udhëzimi është dhënë nga drejtues të grupit parlamentar, ndërsa arsyet zyrtare lidhen me zhvillimin e seancës shtesë.

Megjithatë, fakti që dy projektligjet në rend dite nuk konsiderohen me karakter urgjent ka nxitur spekulime në qarqet politike për mundësinë e zhvillimeve të tjera gjatë ditëve në vijim, përfshirë edhe ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar.

Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një riformatim të Qeverisë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë publike arsye të tjera për mbajtjen e seancës së 30 korrikut.

Për momentin, i vetmi fakt i konfirmuar mbetet kërkesa drejtuar deputetëve socialistë që të qëndrojnë në Tiranë në pritje të zhvillimeve të mëtejshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit