

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e së mërkurës në Unazën e Madhe të Tiranës, pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 16:20, një kamion pompë betoni është përplasur me një automjet. Si pasojë e përplasjes, kamioni ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Nga aksidenti, një prej personave që ndodhej në kamion dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Autoritetet bëjnë me dije se identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar dhe po punohet për të përcaktuar nëse viktima ishte drejtuesi i mjetit apo pasagjeri.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi me iniciale R. N., 28 vjeç, është dërguar në spital dhe, sipas policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Përplasja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Policia pritet të japë informacion shtesë pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.

Njoftimi i policisë:
Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet.
Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion (pompë betoni) dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy personat që ndodheshin në kamion (pompë betoni) janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






