Transmetuar më 22-07-2026, 18:17

Kodi i Sjelljes në Detin e Kinës Jugore duhet të përfundojë sa më shpejt – paqja e rajonit në duart e vendeve të tij, thotë kryediplomati kinez

Përfundimi i hershëm i konsultimeve për Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore do të ndihmonte për mbrojtjen e paqes e të qëndrueshmërisë në rajon dhe për ta mbajtur të ardhmen e rajonit në duart e vendeve të rajonit, duke u hequr forcave të jashtme çdo mundësi për ndërhyrje a përçarje, deklaroi të martën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Në një takim në kryeqytetin e Filipineve Manila me homologun malajzian Mohamad Hasan, Wang tha po ashtu se vendi i tij si dhe vendet e tjera, anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) kanë nxitur dhe mbeten të përkushtuara për përfundimin sa më parë të konsultimeve për COC-në, duke u mbështetur në themelet e Deklaratës për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore.

Duke vlerësuar se ASEAN-i është një pjesë e rëndësishme e botës shumëpolare dhe një forcë kyçe në Jugun Global, Wang shprehu shpresën se Malajzia do të përmbushë në mënyrë efektive rolin e saj si koordinatore e marrëdhënieve Kinë-ASEAN, do të mbrojë interesat e përbashkët të të dy palëve dhe do të sigurojë paqen e qëndrueshmërinë në Azinë Lindore.

Nga ana e tij, Mohamad ripohoi angazhimin e vendit të tij ndaj politikës së një Kine dhe shprehu gatishmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet për të çuar përpara bashkëpunimin ASEAN-Kinë dhe për të ruajtur rolin qendror të ASEAN-it në arkitekturën rajonale.

Kryediplomati malajzian vuri në dukje gjithashtu që disa vende nuk kanë asnjë lidhje me Detin e Kinës Jugore, por megjithatë janë gjithmonë të etura për të treguar forcën atje. Ai shprehu shpresën për një përfundim të hershëm të COC-së, për të mbrojtur së bashku paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit