Transmetuar më 22-07-2026, 16:02

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar pretendimet e qeverisë se protestat e opozitës kanë ndikuar negativisht në sektorin e turizmit, duke ia atribuar rënien e fluksit të turistëve zhvlerësimit të euros.

Gjatë një deklarate, Berisha u shpreh se plazhet në vend janë më pak të frekuentuara krahasuar me vitet e mëparshme, ndërsa fajësoi atë që e quajti “narkoeuro” për ndikimin negativ në ekonominë dhe turizmin.

“E vërteta është sot se, si kurrë më parë, plazhet e vendit janë shumë më tepër se gjysmë bosh, nga Saranda në Shëngjin dhe më lart. Faktori më shkatërrimtar për turizmin është ‘narkoeuro’, e cila ka rënë me 32 për qind. Ndërkohë, qeveria fajëson protestën për situatën në turizëm”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve akuzoi gjithashtu qeverinë se po angazhon strukturat shtetërore për të diskredituar protestat e opozitës.

Sipas tij, Policia e Shtetit, administrata publike dhe Shërbimi Informativ po përdoren për të ndikuar në perceptimin publik ndaj protestave, përfshirë edhe aktivitetin në rrjetet sociale.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha u ndal edhe te procesi i reformave, duke shprehur shqetësimin për ndërprerjen, sipas tij, të konsensusit politik mbi Reformën Territoriale.

Ai u bëri thirrje mbështetësve të opozitës të mos bien pre e provokimeve dhe të vijojnë pjesëmarrjen në protestat e organizuara nga Partia Demokratike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit