Transmetuar më 22-07-2026, 14:40

Babai i Elton Mermalit, i njohur me nofkën “Kinezi”, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për vrasjen e të birit, për të cilën akuzohet Artan Tafani si ekzekutor, ndërsa dyshohet se porosia ka ardhur nga Laert Haxhiu.

Kujtim Mermali ka treguar para gjykatës rrethanat e zhdukjes dhe më pas gjetjes së trupit të djalit të tij, ndërsa është shprehur se nuk di motivet e ngjarjes dhe nuk mund të përcaktojë autorët.

“Një natë para ngjarjes, ditën e shtunë në darkë doli dhe nuk u kthye më në shtëpi. U njoftuam për vrasjen e djalit, kishin gjetur trupin. Fillimisht e çuam në Peqin, më pas në morgun e Elbasanit”, ka deklaruar ai.

Sipas dëshmisë së tij, Elton Mermali ishte arrestuar më herët në Itali dhe më pas ishte kthyer në Shqipëri pas shkeljes së masës së arrestit shtëpiak. Ai ka thënë se i biri ishte akuzuar për një ngjarje të vitit 1997, por pretendoi se, sipas dijenisë së tij, nuk kishte qenë i përfshirë.

Gjatë dëshmisë, Kujtim Mermali ka folur edhe për njohjen e tij me Laert Haxhiun, për të cilin tha se e njihte prej vitesh.

“Laert Haxhiun e njoh shumë mirë, sepse hante bukë në shtëpinë time. E kam strehuar kur e rrihte i ati”, ka deklaruar ai.

Babai i viktimës është shprehur se nuk di nëse vrasja e djalit të tij lidhet me hakmarrje për ngjarjet e vitit 1997, ku përmendi vrasjen e Artan Sulçes dhe Bledar Haxhiut.

“Eltoni nuk i ruhej askujt. Doli nga burgu i Peqinit më 6 maj 2021, ndërsa më 17 tetor 2021 u vra”, ka thënë ai.

Sipas dëshmisë, pas daljes nga burgu, Elton Mermali kishte probleme shëndetësore dhe nuk punonte. Babai i tij ka deklaruar se marrëdhënia mes tyre ishte e mirë dhe se i biri nuk i kishte treguar nëse ndihej i kërcënuar.

Ai ka shpjeguar gjithashtu origjinën e nofkës “Kinezi”, duke thënë se ia kishin vendosur që i vogël për shkak të syve të vegjël. Pas daljes nga burgu, sipas tij, Elton Mermali kishte ndryshuar emrin në Alban Semaku.

Kujtim Mermali ka shtuar se Artan Tafani i kishte thënë të birit se do t’i gjente punë kur të takoheshin.

Çështja ndaj të pandehurve vijon të shqyrtohet në GJKKO, ndërsa prokuroria po paraqet provat për zbardhjen e vrasjes së Elton Mermalit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit