

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, me qëllim parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë në rrugë.
Si rezultat i monitorimeve, janë vendosur 4 255 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit, ndërsa janë arrestuar 8 drejtues automjetesh. Nga këta, 6 janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim automjeti pa leje drejtimi.
Sipas Policisë Rrugore, gjatë kontrolleve janë evidentuar raste të tejkalimit të shpejtësisë, parkimeve të gabuara dhe sjelljeve të tjera që cenojnë sigurinë e përdoruesve të rrugës.
Në zonat urbane janë vendosur 1 530 masa administrative për parkime të gabuara, ndërsa automjetet e parkuara në korsitë e dedikuara dhe trotuare, që pengonin lëvizjen e qytetarëve, janë larguar me mjetet ngritëse të Policisë së Shtetit.
Në akset rrugore kombëtare janë vendosur 1 331 masa për tejkalim të shpejtësisë së lejuar. Gjithashtu, janë ndëshkuar:
332 drejtues për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 126 drejtues për mosvendosje të rripit të sigurimit; 66 drejtues për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit; 166 drejtues për parakalime të gabuara; 27 drejtues për drejtim nën efektin e alkoolit; 11 drejtues për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane; 494 drejtues për shkelje të tjera të konstatuara gjatë kontrolleve.
Drejtoria e Policisë Rrugore ka bërë të ditur se, për shkak të fluksit të shtuar të lëvizjeve drejt zonave bregdetare dhe turistike, janë shtuar patrullimet në akset kombëtare dhe monitorimet me mjete inteligjente.
Policia u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin çdo sjellje të rrezikshme në timon.
“Shpejtësia, alkooli dhe sjelljet e pakujdesshme në timon rrezikojnë jetën. Parandalimi nis nga secili prej nesh”, apelon Policia Rrugore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






