Transmetuar më 22-07-2026, 14:36

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) u ka bërë apel qytetarëve të Kosovës që të tregojnë kujdes dhe të jenë të përgatitur, pas paralajmërimit për zhvillime të fuqishme atmosferike gjatë ditës së sotme.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), vendi pritet të përfshihet nga stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta, të cilat mund të shkaktojnë dëme në zona të ndryshme.

“Pranohen zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta”, thuhet në njoftimin e AME-së.

Agjencia ka paralajmëruar për rrezik nga përmbytjet e shpejta lokale, dëmtime të mundshme në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore. Probleme mund të shfaqen edhe në rrjetin elektroenergjetik dhe sistemet e telekomunikacionit.

Një rrezik i veçantë paraqitet nga goditjet e rrufesë, të cilat mund të shkaktojnë pasoja për njerëzit dhe kafshët.

AME u ka rekomanduar qytetarëve që gjatë kohës së stuhive të shmangin qëndrimin pranë pemëve të larta, objekteve metalike dhe shtyllave elektrike. Gjithashtu kërkohet kujdes i shtuar gjatë lëvizjes në rrugë dhe sigurimi i sendeve në ballkone e oborre që mund të dëmtohen nga era e fortë ose breshëri.

Ndërkohë, Njësitë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, së bashku me Qendrat Operative Emergjente, janë në gatishmëri në të gjithë territorin e Kosovës për t’iu përgjigjur rasteve të mundshme emergjente.

Në rast nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë numrin unik 112, Policinë e Kosovës në 192, Zjarrfikësit në 193 dhe Ndihmën e Shpejtë në 194.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit