

Zebervoki ka reaguar pas largimit të tij nga Policia e Shtetit, duke sqaruar se vendimi për t’u larguar nuk kishte lidhje me zhvillimet politike apo situatën aktuale në vend.
I ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ai deklaroi se largimi ishte një zgjedhje personale, e lidhur me dëshirën për t’iu kushtuar më shumë kohë projekteve të tij.
“Unë mora një vendim që nuk kishte të bënte fare me situatën që po ndodh në Shqipëri. Ishte diçka që lidhej me një zgjedhje timen dhe me dëshirën për t’u fokusuar te projektet e mia”, u shpreh Zebervoki.
Ai tha se pas publikimit të vendimit të tij, në media u shfaqën tituj ku cilësohej si “hero i popullit”, por sipas tij, ky perceptim nuk ishte i saktë dhe nuk përputhej me arsyet që ai kishte bërë publike.
“Pasi bëra statusin, më kishin dedikuar tituj ‘heroi i popullit’ e të tjera. Kjo nuk më pëlqeu, sepse isha i qartë në statusin tim se pse e mora atë vendim”, deklaroi ai.
Zebervoki theksoi se arsyen e plotë të largimit ka zgjedhur ta mbajë private dhe se në të ardhmen dëshiron të fokusohet te angazhimet artistike.
“Vendimin tim publiku nuk do ta marrë vesh, dua ta mbaj për vete. Nga unë në vazhdim do të bëj publike vetëm projektet artistike, nuk dua të bëhem pjesë e titujve të tillë”, tha ai.
Ai shtoi se nuk e ka ndjerë veten pjesë të interpretimeve apo kauzave që iu atribuuan largimit të tij nga Policia e Shtetit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






