Transmetuar më 22-07-2026, 13:07

Moti i keq dhe stuhia në det kanë shkaktuar probleme për disa mjete lundruese në zonën e Sarandës, ku Policia Kufitare ka ndërhyrë në tetë raste për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve.

Sipas informacioneve nga Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë, tre mjete lundruese që kishin hasur vështirësi në zonën e Bunecit janë asistuar dhe janë transportuar drejt portit të Limjonit.

Ndërkohë, dy mjete të tjera janë përfshirë nga furtuna pranë Kepit të Qefalit. Njëri prej skafeve, me mbështetjen e forcave të ndërhyrjes, ka kryer rimorkimin e mjetit tjetër drejt Portit të Limjonit.

Një tjetër rast është regjistruar në Gjirin e Sarandës, ku një mjet lundrues që rrezikonte mbytjen është tërhequr dhe është ankoruar në portin e Sarandës.

Ndihmë u është dhënë edhe dy mjeteve lundruese në zonën e quajtur “Pema e Thatë” në Ksamil.

Si pasojë e forcës së stuhisë, dy skafe të ankoruara në Portin e Limjonit janë zhvendosur rreth 100 metra larg bregut dhe më pas janë fundosur.

Policia Kufitare vijon patrullimet në det me të gjitha mjetet lundruese në dispozicion, për të monitoruar situatën dhe për t’iu përgjigjur çdo emergjence të mundshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit