Transmetuar më 22-07-2026, 12:36

Burgu i Shënkollit në Lezhë pritet të transformohet në një institucion të posaçëm për trajtimin e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili deklaroi se qeveria ka hartuar një plan konkret për këtë ndryshim dhe se modeli i trajtimit do të jetë në përputhje me standardet e vendeve të Bashkimit Europian.

Gjatë një konference për mediat, Gogu u shpreh se një nga sfidat kryesore të sistemit penitenciar është trajtimi i personave të dënuar që, për shkak të gjendjes së tyre mendore, konsiderohen të paaftë për të kuptuar dhe përballuar vuajtjen e dënimit në të njëjtën mënyrë si të dënuarit e tjerë.

“Një nga sfidat me të cilat do të ndeshemi dhe do të raportojmë në vijimësi do të jetë gjendja e të dënuarve, të cilët kanë vendim gjykate dhe vuajnë nga shëndeti mendor. Megjithëse janë të dënuar, ata duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë”, tha ministri.

Sipas tij, institucioni i Shënkollit do të përshtatet për të ofruar kujdes dhe trajtim të specializuar për këtë kategori të të dënuarve.

“Shënkolli sot është burg, por ne po punojmë dhe kemi një plan që po e zbatojmë. Ai do të jetë institucion i shëndetit mendor, ku do të trajtohen të dënuarit, ashtu siç trajtohen në çdo vend të Bashkimit Europian”, deklaroi Gogu.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit