Transmetuar më 22-07-2026, 12:32

Një shtetase braziliane, për të cilën familjarët kishin humbur kontaktet prej rreth një muaji, është identifikuar në Lushnjë pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin S.M., i akuzuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”, si dhe shtetasen braziliane me inicialet L.J.D.S., e akuzuar për veprën penale “Prostitucion”.

Hetimi, i regjistruar në kuadër të procedimit penal nr. 121 të vitit 2026, nisi pas një informacioni të përcjellë nga Ambasada e Brazilit në Tiranë, e cila kërkoi ndihmë për gjetjen e shtetases braziliane, pasi familjarët e saj nuk kishin mundur të komunikonin me të për rreth një muaj.

Gjatë veprimeve hetimore, autoritetet identifikuan personin që kishte pasur kontaktet e fundit me të dhe vijuan me administrimin e provave, përfshirë deklarime, kontrolle të aparateve celularë, analiza të komunikimeve elektronike dhe prova të tjera materiale.

Sipas Prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se shtetasja braziliane kishte hyrë në Shqipëri në shtator të vitit 2025 me qëllim ushtrimin e prostitucionit, pas kontakteve të krijuara përmes platformave të komunikimit online. Ajo dyshohet se ka ushtruar këtë aktivitet në ambiente të ndryshme në Tiranë, Golem dhe më pas në Lushnjë.

Nga hetimet rezulton se shtetasi S.M. dyshohet se ka marrë pjesë në shfrytëzimin e saj për prostitucion, duke siguruar klientë, negociuar pagesat dhe organizuar takime kundrejt përfitimeve financiare.

Sipas organit të akuzës, komunikimet elektronike të administruara gjatë hetimit treguan se S.M. u ofronte personave të ndryshëm takime seksuale kundrejt pagesës me shtetasen braziliane, duke përcaktuar tarifat dhe organizimin e tyre.

Në vijim të hetimeve, shtetasja braziliane u gjet nga Policia Gjyqësore në një banesë në fshatin Karbunarë, Bashkia Lushnjë, ku ndodhej në momentin e ndërhyrjes.

Çështja tashmë i është dërguar për gjykim Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit