

Moti i keq që përfshiu disa zona të Shqipërisë gjatë mbrëmjes së kaluar ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike, në disa stacione ujësjellësi dhe në pika të ndryshme të infrastrukturës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë të ditur se ekipet e ndërhyrjes kanë nisur punën që në orët e para pas reshjeve, me qëllim rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.
Sipas njoftimit, problematikat kryesore janë evidentuar në rrjetin elektrik. Aktualisht, 21 fidera rezultojnë jashtë funksionit në disa zona të vendit, përfshirë Vlorën, Fierin, Sarandën dhe Librazhdin. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka angazhuar mbi 1 mijë punonjës në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin gradual të energjisë për abonentët e prekur.
Ndërkohë, rrjeti i transmetimit të energjisë vijon të funksionojë normalisht, me linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV aktive. Edhe situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë, pa problematika të raportuara.
Krahas energjisë elektrike, ndërprerje të përkohshme janë regjistruar edhe në disa stacione pompimi të ujit. Në Sarandë dhe Ksamil furnizimi është rikthyer në normalitet, ndërsa në Fier është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt. Në Patos vijon ende mungesa e ujit, për shkak të ndërprerjes së energjisë në stacionin e Varibopit, ku po punohet për zgjidhjen e situatës.
Stuhitë kanë shkaktuar dëme edhe në Portin e Durrësit. Në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, tetë prej të cilëve kanë pësuar dëmtime. Aktualisht po vijon vlerësimi i dëmeve dhe koordinimi me kompanitë përgjegjëse.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka monitoruar akset kombëtare, ku është ndërhyrë për pastrimin e gurëve dhe materialeve të rëna në rrugë. Sipas autoriteteve, qarkullimi rrugor vijon pa probleme të mëdha.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë regjistruar vetëm disa vonesa të lehta në fluturimet në ardhje, për shkak të kushteve atmosferike.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjitha zonat e prekura, ndërsa ekipet e emergjencës mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






