

Një telefon celular është sekuestruar gjatë një kontrolli të zhvilluar në Burgun e Drenovës, ku dyshohet se është përdorur nga Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjen e njohur si "Masakra e Lushnjës".
Sipas informacioneve paraprake, kontrolli është kryer rreth orës 06:00 të mëngjesit, në kuadër të një operacioni të brendshëm në institucionin e vuajtjes së dënimit. Gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua një telefon celular, për të cilin po verifikohet përdorimi dhe mënyra se si ka hyrë në ambientet e burgut.
Laert Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm për "Masakrën e Lushnjës", ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2017, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, ndërsa objektivi i atentatit, sipas hetimeve, ishte Xhulio Shkurti.
Ai është përballur gjithashtu me akuza për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje, atentate, plagosje dhe grabitje, të kryera në kuadër të një grupi kriminal. Hetimet u mbështetën, mes të tjerash, edhe në dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Marjus Tafani.
Haxhiu u arrestua në Selanik të Greqisë dhe, pas përfundimit të procedurave gjyqësore në shtetin fqinj, u ekstradua në Shqipëri, ku po vuan dënimin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






