Transmetuar më 22-07-2026, 11:44

Dhjetëra banorë të zonës naftëmbajtëse Patos–Marinzë protestuan paraditen e së mërkurës përpara zyrave të kompanisë Bankers Petroleum, duke kërkuar shlyerjen e qirave të papaguara për tokat e tyre që shfrytëzohen nga kompania.

Sipas protestuesve, rreth 800 banorë të fshatrave Marinzë, Belinë, Sheqishte, Zharrëz, Kallm, Frashër dhe Kuman nuk kanë marrë pagesën e qirasë vjetore që nga fillimi i vitit 2026. Ata thonë se tokat e tyre përdoren nga kompania për rrugë, parkingje, sheshe teknike dhe puse nafte, në bazë të kontratave që zbatohen prej vitit 2010.

Banorët kërkojnë respektimin e kushteve kontraktuale dhe kundërshtojnë ndryshimin e kontratave nga afat njëvjeçar në dyvjeçar, si edhe uljen e vlerës së qirasë nga 400 lekë në 200 lekë për metër katror.

Protestuesit paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk do të marrin zgjidhje, do të përshkallëzojnë reagimin, duke kërkuar edhe rikthimin e tokave në gjendjen e mëparshme.

Për banorët e zonës naftëmbajtëse Patos–Marinzë, të ardhurat nga qiraja e tokave përbëjnë një nga burimet kryesore të mbështetjes ekonomike për familjet e tyre.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit