

Një shtetas shqiptar është dënuar me 10 vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpall fajtor për një seri vjedhjesh në banesa në disa qarqe të jugut të Anglisë.
Sipas autoriteteve britanike, Gledis Uka, 30 vjeç, u hetua për një valë vjedhjesh të kryera në Berkshire, si edhe në Buckinghamshire, Bristol, Essex, Londër, Suffolk, Surrey dhe Kent.
Hetimet nisën pasi policia gjeti gjurmë gjaku në dy banesa të grabitura, të cilat iu nënshtruan analizave mjeko-ligjore. Në dy vitet që pasuan, u regjistruan raste të tjera me të njëjtat karakteristika në Edenbridge dhe Sevenoaks, ku u gjetën sërish prova biologjike. Krahasimi i provave i lejoi hetuesit të lidhnin ngjarjet me njëra-tjetrën dhe të identifikonin 30-vjeçarin si autorin e dyshuar.
Sipas dosjes hetimore, Uka udhëtonte drejt Anglisë gjatë muajve të dimrit për të kryer vjedhje dhe më pas largohej nga vendi, duke ndjekur një skemë të përsëritur veprimi.
Më 30 janar 2026, ai u arrestua nga Policia e Kentit në Essex. Një ditë më pas u vu nën akuzë për 33 vepra penale të lidhura me vjedhje në disa qarqe të jugut të Anglisë, përfshirë edhe Buckinghamshire.
Gjatë procesit gjyqësor, 30-vjeçari pranoi fajësinë për 19 akuza, marrëveshje e cila u pranua nga prokuroria. Dy akuza të tjera u morën në konsideratë gjatë caktimit të dënimit, ndërsa pjesa tjetër mbeti në dosjen procedurale.
Më 14 korrik, Gjykata e Kurorës në Maidstone e dënoi Gledis Ukën me 10 vite burg.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






