

Një efektiv i Policisë së Kosovës është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së mërkurës në varrezat e fshatit Morinë, në Kukës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, viktima është shtetasi me inicialet Sh. H., 35 vjeç, banues në Prizren dhe punonjës i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Policinë e Kosovës.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një plage të shkaktuar nga armë zjarri. Në vendngjarje është sekuestruar një pistoletë në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet janë në vijim për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e sekuestruar është arma e shërbimit të efektivit, si dhe për sigurimin e çdo informacioni që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë ligjor të ngjarjes.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera, ndërsa hetimet mbeten të hapura.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






