

Shqipëria pritet të përballet me stuhi afatshkurtra, por me intensitet të lartë gjatë ditës së premte, duke përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit. Paralajmërimi është bërë nga meteorologia Tanja Porja, e cila ka sqaruar se fenomenet atmosferike do të jenë të përqendruara në celula stuhish, të afta të prodhojnë reshje intensive dhe erëra të forta në zona të caktuara.
Sipas saj, megjithëse nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi vendndodhja e çdo stuhie, zonat me rrezik më të lartë përfshijnë Shqipërinë e Mesme dhe Juglindore. Ndër qytetet dhe rajonet më të ekspozuara janë Fushë-Kruja, Tirana, Durrësi, Elbasani, një pjesë e Librazhdit, Pogradeci, Korça, Erseka, Devolli, si dhe Përmeti e Gjirokastra.
Porja theksoi se stuhitë do të kenë kohëzgjatje të shkurtër, zakonisht nga 20 deri në 40 minuta, por gjatë kësaj periudhe mund të prodhojnë sasi të konsiderueshme reshjesh dhe erëra me shpejtësi të lartë, duke rritur rrezikun për përmbytje lokale dhe probleme në qarkullim.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare të motit dhe të tregojnë kujdes gjatë zhvillimit të këtyre fenomeneve atmosferike, veçanërisht në zonat e identifikuara si më të rrezikuara.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






