Transmetuar më 22-07-2026, 09:43

Francë, 22 korrik 2026 – Një shtetas shqiptar është arrestuar në Francë pasi u kap duke transportuar mbi 17 kilogramë kokainë, të fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda motorit të një automjeti të prishur që po tërhiqej me karrotrec.

Ngjarja ka ndodhur më 16 qershor 2026, gjatë një kontrolli të doganierëve në autostradën A9, në drejtimin Spanjë–Francë, pranë Narbonne. Automjeti me targa shqiptare tërhoqi vëmendjen e autoriteteve, pasi shoferi po transportonte një tjetër makinë mbi karrotrec.

Shoferi deklaroi se po kthente një automjet të dëmtuar nga Barcelona drejt Shqipërisë, por gjatë kontrolleve më të hollësishme doganierët konstatuan disa parregullsi dhe vendosën të kryenin një verifikim më të thelluar.

Gjatë çmontimit të motorit të automjetit të transportuar, u zbuluan më shumë se dhjetë pako të fshehura brenda bllokut të motorit. Pas peshimit, rezultoi se bëhej fjalë për 17.635 kilogramë kokainë.

Autoritetet franceze deklaruan se zbulimi u bë falë analizës dhe këmbënguljes së efektivëve doganorë, të cilët identifikuan një mënyrë të sofistikuar fshehjeje të lëndës narkotike.

Pas arrestimit, shqiptari iu dorëzua degës së OFAST në Perpignan, njësisë franceze kundër trafikut të narkotikëve, për vijimin e hetimeve.

Më 20 korrik 2026, ai u paraqit para Gjykatës së Narbonne, e cila e dënoi me 4 vite burg. Gjithashtu, ndaj tij u vendos ndalimi i hyrjes në territorin francez për 10 vite dhe një gjobë doganore prej 793.735 eurosh.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit