Transmetuar më 22-07-2026, 09:12

Moti i përkeqësuar, i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe reshje shiu, përfshiu gjatë mbrëmjes së kaluar disa qytete në jug të vendit, duke shkaktuar dëme materiale dhe vështirësi të përkohshme në qarkullim dhe furnizimin me energji elektrike.

Situata më problematike u paraqit në zonën e Lungomares në Vlorë, ku erërat e stuhishme ngritën në ajër sasi të mëdha rëre përgjatë shëtitores bregdetare.

Për shkak të dendësisë së rërës dhe fuqisë së erës, lëvizja e këmbësorëve u bë pothuajse e pamundur, ndërsa dukshmëria u reduktua ndjeshëm.

Stuhia shkaktoi dëme edhe në disa biznese që ushtrojnë aktivitetin përgjatë vijës bregdetare.

Çadrat, tavolinat, karriget dhe pajisje të tjera të vendosura në ambientet e jashtme u zhvendosën ose u dëmtuan nga era e fortë. Në disa raste, çadrat u ngritën në ajër, duke krijuar rrezik për qytetarët dhe pushuesit që ndodheshin në zonë.

Edhe qyteti i Gjirokastrës u përfshi nga erëra të forta dhe reshje shiu. Kushtet atmosferike krijuan vështirësi të përkohshme në disa zona, por deri tani nuk raportohet për pasoja të rënda.

Në Himarë, moti i keq u shoqërua me një aktivitet të lartë elektrik. Rrufe të shumta ndriçuan qiellin gjatë natës, duke krijuar pamje mbresëlënëse, por njëkohësisht edhe shqetësim për banorët. Stuhia shkaktoi gjithashtu probleme dhe ndërprerje të përkohshme në furnizimin me energji elektrike.

Probleme u regjistruan edhe në Sarandë, ku forca e erës rrëzoi një pemë. Pema ra mbi disa automjete të parkuara, duke u shkaktuar atyre dëme materiale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit