

22 korrik 2026 – Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili hodhi poshtë pretendimet se u kishte premtuar banorëve të Thethit legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Koçeku vlerësoi se suksesi i ashtuquajtur i “Paketës së Maleve” nuk mund të matet pa zgjidhjen e çështjes së pronësisë për banorët e zonave malore.
Sipas saj, shumë familje që jetojnë prej brezash në këto zona ende nuk kanë të njohur të drejtën e pronësisë mbi tokat, kullat, pyjet dhe bjeshkët që kanë trashëguar dhe shfrytëzuar ndër shekuj.
Deputetja ngriti gjithashtu shqetësime për mungesën e infrastrukturës, duke theksuar se në disa zona mungojnë ende rrugët kryesore të asfaltuara dhe lidhjet mes fshatrave. Ajo kritikoi edhe mungesën e mbështetjes për blegtorinë, burokracitë për ndërtimin e staneve dhe vështirësitë që hasin bizneset lokale për shkak të furnizimit të paqëndrueshëm me energji elektrike.
Koçeku deklaroi se vetëm kur banorëve t’u njihet e drejta e pronësisë mbi tokën truall, tokën bujqësore, pyjore dhe bjeshkët, si dhe të krijohen kushte për zhvillimin e zonave malore, mund të flitet për suksesin e “Paketës së Maleve”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






