

Qyteti i Vlorës është përfshirë pasditen e djeshme nga një mot i përkeqësuar, i shoqëruar me erëra të fuqishme, të cilat kanë krijuar probleme dhe rrëmujë në disa pjesë të qytetit.
Situata më e rënduar është paraqitur përgjatë vijës bregdetare, ku forca e erës ka ngritur sasi të mëdha rëre në zonën e shëtitores së Lungomares, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe pushuesve.
Rëra e shpërndarë në ajër ka ulur ndjeshëm dukshmërinë dhe e ka bërë pothuajse të pamundur qarkullimin normal në këmbë përgjatë shëtitores.
Qytetarët e ndodhur në zonë janë përballur me kushte të vështira, ndërsa shumë prej tyre janë detyruar të largohen për shkak të intensitetit të erës dhe rrezikut nga objektet që mund të zhvendoseshin.
Erërat e stuhishme kanë shkaktuar gjithashtu dëme materiale në një numër të konsiderueshëm biznesesh që ushtrojnë aktivitetin përgjatë Lungomares.
Mobiliet, tavolinat, karriget dhe pajisje të tjera të vendosura në ambientet e jashtme janë lëvizur nga vendi, janë përmbysur ose janë dëmtuar si pasojë e forcës së erës.
Dëmtime të dukshme kanë pësuar edhe çadrat e plazhit, tendat dhe mbulesat e restoranteve e lokaleve përgjatë shëtitores bregdetare.
Për shkak të situatës së krijuar dhe për të shmangur rrezikun për klientët dhe punonjësit, shumë subjekte janë detyruar të mbyllin përkohësisht hapësirat e tyre të jashtme.
Përveç dëmeve në biznese, erërat e forta kanë krijuar pengesa edhe në lëvizjen përgjatë disa akseve të zonës, ku rëra dhe objekte të ndryshme të zhvendosura nga stuhia kanë vështirësuar qarkullimin.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






