Transmetuar më 22-07-2026, 08:41

Himarë, 22 korrik 2026 – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Himarë, ku një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në kohën kur ekipet teknike po punonin për rikthimin e energjisë elektrike në zonat e prekura nga moti i keq dhe erërat e forta.

Viktima është B.B., një 54-vjeçar nga Elbasani, i cili ishte dërguar në Himarë për të mbështetur ekipet lokale në riparimin e defekteve të shkaktuara në rrjetin elektrik.

Gjatë ndërhyrjes, ai ka pësuar një incident me pasojë vdekjen. Dyshimet e para janë se punonjësi mund të ketë rënë në kontakt me rrymën elektrike, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe ekspertizës teknike.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Himara dhe zona bregdetare u përfshinë nga stuhi të forta me reshje shiu dhe erëra intensive, të cilat shkaktuan dëme materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e ekipeve të OSHEE-së për riparimin e avarive.

Himarë / Informacion paraprak

Rreth orës 03:40, në Qendrën Shëndetësore Himarë është dërguar pa shenja jete shtetasi B. B., 54 vjeç, banues në Elbasan, punonjës sezonal i OSHEE-së.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se shtetasi B.B, gjatë punës për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë, në zonën e Potamit, Himarë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit